fbpx

E fuqizojmë aktivizmin lokal

Qytetarët aktivë që luftojnë për të drejtat e tyre, monitorojnë sesi përfaqësuesit e pushtetit i kryejnë funksionet e tyre ose i përmirësojnë mangësitë në ofrimin e shërbimeve institucionale, janë parakusht për një shoqëri të shëndetshme dhe demokratike. Prandaj, fuqizimi i aktivizmit shoqëror është një nga qëllimet kryesore të Qendrës për Veprime Sociale Afirmative – CASA, e cila e bazon punën e saj në pjesëmarrjen aktive të qytetarëve, e prioritetet e saj në nevojat e tyre reale. Për të siguruar zbatimin efektiv praktik të kësaj qasjeje strategjike, OJQ CASA formoi një mekanizëm të brendshëm për konsultim dhe koordinim me qytetarët. Këshilli Konsultativ i Organizatës (Këshilli CASA) përbëhet nga 12 liderë të rinj socialë nga të gjitha komunitetet joshumicë në Kosovë. Roli i tyre është të përcaktojnë nevojat lokale dhe të marrin pjesë aktive në gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballen. Një qëndrim i tillë aktiv nuk është vetëm çështje motivimi, por i ka edhe ligjet dhe aftësitë e tij që janë të nevojshme që procesi t’i prodhojë rezultatet e dëshiruara.

Pikërisht për këtë u diskutua këto ditë në Prizren, në trajnimin e parë të Këshillit të CASA-s (Trajnim mbi bazat e aktivizmit qytetar). Trajnimi u mbajt nga data 28 deri më 30 tetor në Hotel Centrum. Individë me eksperiencë nga komuniteti dhe drejtues civilë me përvojë të mbledhur në OJQ CASA ndanë përvojat e tyre në aksionin civil me anëtarët e rinj të Këshillit dhe diskutuan vlerat bazë, parimet dhe metodologjitë në dispozicion të qytetarëve që duan të marrin pjesë aktive në jetën e komunitetit të tyre.

U diskutuan metodat e identifikimit të nevojave. Pjesa e parë e trajnimit u rezervua për të treguar përfitimet e pjesëmarrjes në proceset vendimmarrëse dhe përgjegjësitë e qytetarëve dhe qeverive në lidhje me këtë proces. Pjesa e dytë e trajnimit përmbante strategji për pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Në të njëjtën kohë, u diskutuan shembuj të suksesshëm të veprimeve qytetare në rajonin tonë.

Trajnimi mbi bazat e aktivizmit qytetar është pjesë e projektit “Granti për Zhvillim Organizativ” me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në kuadër të programit “Angazhimi për veprim të përbashkët – EJA Kosovë” dhe është i pari në një seri aktivitetesh për ngritjen e kapaciteteve të Këshillit të CASA-s, dhe të gjitha me qëllim të promovimit të një gjenerate të re të liderëve të rinj dhe aktivë në komunitetin serb në Kosovë.