fbpx

Perspektiva e BE-së për Kosovën: “Difficult Question Ahead Series” Pjesa 2: Integrimi i sistemit arsimor të serbëve të Kosovës

Informata të Përgjithshme:

Titulli i projektit: Perspektiva e BE-së për Kosovën: “Difficult Question Ahead Series” Pjesa 2: Integrimi i sistemit arsimor të serbëve të Kosovës
Kohëzgjatja: 8 muaj
Periudha e zbatimit: 15 janar 2026 – 15 shtator 2026
Mbështetur nga: Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (OSF – Ballkani Perëndimor)
Statusi: Në zbatim

Objektivat e projektit:

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë dialogun publik në Kosovë duke ofruar perspektiva konstruktive dhe të bazuara në dëshmi mbi çështjet e pazgjidhura në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Projekti vendos fokus të veçantë në një nga çështjet më komplekse dhe më pak të trajtuara – integrimin e sistemit arsimor të serbëve të Kosovës.

Ky qëllim do të arrihet përmes hulumtimit të perceptimeve të komuniteteve, si dhe përmes lehtësimit të dialogut ndërmjet aktorëve kyç. Projekti ka dy objektiva specifike: (1) të identifikojë dhe analizojë se si komunitetet serbe dhe shqiptare e perceptojnë integrimin e sistemit arsimor, duke përfshirë shqetësimet dhe pritjet e tyre, dhe (2) të promovojë qasje konstruktive dhe të informuara ndaj kësaj çështjeje përmes avokimit dhe komunikimit publik.

Rezultatet e pritura:

Përmes zbatimit të aktiviteteve të projektit, pritet të përmirësohet cilësia e dialogut politik dhe publik mbi integrimin e sistemit arsimor, si dhe të rritet mirëkuptimi i ndërsjellë ndërmjet komuniteteve lidhur me sfidat dhe mundësitë e këtij procesi. Projekti do të kontribuojë në një qasje më të informuar të institucioneve dhe aktorëve ndërkombëtarë në vendimmarrjen lidhur me këtë çështje.

Projekti parasheh kombinimin e hulumtimit sasior (anketa), metodave cilësore (grupe fokusi), si dhe konsultimeve me ekspertë dhe organizimin e ngjarjeve publike. Kjo qasje metodologjike siguron përfshirjen e perspektivave të ndryshme – përfshirë qytetarët, akademinë, shoqërinë civile dhe vendimmarrësit – nga të dy komunitetet në Kosovë.

Rezultatet e projektit do të prezantohen përmes një studimi gjithëpërfshirës, si dhe përmes prezantimeve publike dhe aktiviteteve avokuese të drejtuara ndaj institucioneve, organizatave ndërkombëtare dhe publikut të gjerë.

Projekti do të ofrojë rekomandime konkrete dhe realiste të politikave që marrin parasysh kornizën ligjore të Kosovës dhe standardet evropiane në fushën e arsimit dhe të drejtave të pakicave, duke kontribuar kështu në procesin e integrimit evropian dhe në ndërtimin e një shoqërie multietnike.

Përfshirja e gjerë e grupeve të ndryshme shoqërore në proces do të rrisë legjitimitetin dhe relevancën e rekomandimeve të prodhuara, me fokus të veçantë në uljen e polarizimit dhe nxitjen e dialogut konstruktiv ndërmjet komuniteteve.