fbpx

Raportin përfundimtar të monitorimit mbi zbatimin e Ligjit për të huajt

Vetëm një numër i vogël i qytetarëve arriti ta rregullojë statusin e vet gjatë periudhës kalimtare tremujore pas fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt; zgjatja e afatit është e domosdoshme

15 qershor 2026 – OJQ CASA ka publikuar Raportin përfundimtar të monitorimit mbi zbatimin e Ligjit për të huajt, i cili mbulon periudhën nga 15 marsi deri më 15 qershor 2026. Raporti vlerëson efektet praktike të periudhës kalimtare tremujore të lidhur me zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe procedurave përkatëse ndaj personave të prekur nga çështje afatgjata që lidhen me dokumentacionin dhe regjistrimin civil.

Masat kalimtare krijuan një mundësi, por afati kohor ishte i pamjaftueshëm

Gjetjet e monitorimit tregojnë se marrëveshja e arritur ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës krijoi një mundësi të rëndësishme për shumë banorë që të iniciojnë procedurat për rregullimin e statusit civil, të drejtave të qëndrimit dhe qasjes në dokumente të Kosovës. Janë regjistruar zhvillime pozitive, përfshirë pranimin e kërkesave, lëshimin e lejeve të përkohshme të qëndrimit dhe rritjen e angazhimit institucional.

Megjithatë, raporti konkludon se periudha kalimtare tremujore ishte e pamjaftueshme për t’i mundësuar shumicës së qytetarëve të prekur që të përfundojnë procedurat e gjata dhe komplekse administrative. Për shkak të kërkesave të gjera lidhur me dokumentacionin, vonesave administrative, praktikave jo të njëtrajtshme institucionale dhe kapaciteteve të kufizuara administrative, sipas informacioneve të ndara nga qytetarët, vetëm një numër i vogël prej tyre arriti ta rregullojë plotësisht statusin e vet para përfundimit të periudhës kalimtare.

Pengesat administrative vazhdojnë të kufizojnë qasjen efektive në dokumente

Gjatë procesit të monitorimit, CASA dokumentoi sfida të shumta me të cilat u përballën parashtruesit e kërkesave, përfshirë kërkesat e tepërta lidhur me dokumentacionin dhe kostot financiare, kërkesat për vulë apostile përtej asaj që kërkohet me ligj, vonesat e gjata në marrjen e vendimeve dhe qasjen e kufizuar në mjete juridike efektive. Qytetarët u përballën me informacione të paunifikuara dhe shpesh kontradiktore të ofruara nga zyrat kompetente, ku interpretimet dhe kërkesat ndryshonin jo vetëm nga një komunë në tjetrën, por edhe ndërmjet zyrtarëve brenda së njëjtës komunë.

Shumë banorë raportuan se për muaj të tërë nuk kishin marrë asnjë informacion lidhur me statusin e kërkesave të tyre pas dorëzimit. Të tjerë u përballën me kërkesa të përsëritura për dokumentacion shtesë, pritje të gjata për përkthimin e vendimeve dhe pasiguri procedurale lidhur me hapat e ardhshëm të nevojshëm për përfundimin e rasteve të tyre.

Shqetësim i veçantë mbetet situata e personave që kanë jetuar në Kosovë për shumë vite dhe kanë lidhje të forta familjare, shoqërore dhe profesionale me vendin, por që vazhdojnë të përballen me pengesa në njohjen e statusit të tyre civil, të drejtave të qëndrimit ose shtetësisë.

Rezultatet e anketës konfirmojnë vonesat dhe pasigurinë e përhapur

Në fund të kësaj periudhe tremujore, CASA rikontaktoi qytetarët që më parë kishin raportuar vështirësi në sigurimin e dokumenteve të Kosovës, me qëllim vlerësimin nëse kishte pasur zhvillime në rastet e tyre dhe nëse rregulloret e reja të miratuara kishin krijuar mundësi për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballeshin. Në të njëjtën kohë, CASA zhvilloi një anketë anonime të synuar me një mostër më të vogël qytetarësh, të cilët përmes grupeve dhe rrjeteve joformale shkëmbejnë përvoja lidhur me rregullimin e statusit të tyre dhe realizimin e të drejtës për t’u pajisur me dokumente të Kosovës.

Gjetjet tregojnë se vetëm një përqindje e vogël e të anketuarve arriti ta rregullojë plotësisht statusin e vet, ndërsa për shumicën dërrmuese procedurat administrative vazhdojnë ende. Vetëm 11,4% e të anketuarve deklaruan se statusi i tyre ishte zgjidhur plotësisht ndërkohë. Nga ky numër, më pak se 5% kishin marrë letërnjoftim të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër kishin siguruar leje të përkohshme qëndrimi. Rreth gjysma e të anketuarve shprehën pakënaqësi me cilësinë e komunikimit dhe mbështetjes së ofruar nga institucionet dhe raportuan pasiguri lidhur me kohën ose mundësinë e përfundimit të procedurave të tyre.

Këto gjetje konfirmojnë në masë të madhe përfundimet e arritura përmes monitorimit të rasteve individuale dhe tregojnë se pasiguria administrative mbetet një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen qytetarët e prekur.

Shqetësime lidhur me Ligjin e ri për shtetësinë

Raporti gjithashtu analizon Ligjin e ri për Shtetësinë, i cili u miratua gjatë kësaj periudhe tremujore, dhe identifikon një sërë dispozitash që mund të kenë pasoja të rëndësishme për komunitetet e prekura. Vëmendje e veçantë i kushtohet vendosjes së kufizimeve më të rrepta për fitimin e shtetësisë në bazë të prejardhjes për personat e lindur jashtë Kosovës pas arritjes së moshës madhore, si dhe varësisë së vazhdueshme nga legjislacioni dytësor që ende nuk është miratuar.

Megjithëse ligji sjell disa masa pozitive modernizimi, CASA thekson nevojën për zbatim të kujdesshëm dhe monitorim të vazhdueshëm për të siguruar që korniza e re juridike të mos krijojë pengesa shtesë për fitimin e shtetësisë, të mos prodhojë efekte diskriminuese dhe të mos ketë ndikim joproporcional ndaj pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë, personave të zhvendosur dhe grupeve të tjera të cenueshme.

Standardet evropiane të të drejtave të njeriut duhet të udhëheqin zbatimin

Raporti thekson rëndësinë e standardeve të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, janë detyruese për institucionet publike në Kosovë, përfshirë parimet e sigurisë juridike, mbrojtjes së pritjeve legjitime dhe ndalimit të formalizmit të tepruar.

Në përputhje me këto standarde, autoritetet publike kanë përgjegjësi të krijojnë mekanizma efektivë që u mundësojnë personave që kanë jetuar dhe punuar në Kosovë për shumë vite të rregullojnë statusin e tyre dhe të ushtrojnë të drejtat që u takojnë. Periudha kalimtare tremujore përbënte një hap të rëndësishëm dhe pozitiv në këtë drejtim, pasi krijoi një kornizë ligjore dhe mundësi për shumë individë të prekur që të iniciojnë procedura të vonuara prej kohësh. Megjithatë, gjetjet e monitorimit tregojnë se afati kohor ishte i pamjaftueshëm duke pasur parasysh kompleksitetin e procedurave, kërkesat e gjera dokumentare dhe kapacitetet e kufizuara administrative. Procedurat administrative duhet të lehtësojnë qasjen në të drejta dhe jo të krijojnë pengesa shtesë për personat që veprojnë në mirëbesim. Për këtë arsye, CASA bën thirrje për zgjatjen ose fleksibilitet më të madh të periudhës kalimtare dhe për masa që sigurojnë se personat që plotësojnë kushtet nuk përjashtohen nga ushtrimi i të drejtave të tyre.

Përfundim

Në fund, suksesi i procesit të zbatimit nuk duhet të matet vetëm me numrin e kërkesave të paraqitura, por me shkallën në të cilën personat që i plotësojnë kushtet ligjore arrijnë në praktikë të rregullojnë statusin e tyre civil, të pajisen me dokumente personale, të fitojnë identitet juridik dhe të ushtrojnë të drejtat që u garantohen nga korniza juridike e Kosovës, si dhe nga standardet përkatëse ndërkombëtare. Arritja e këtij qëllimi do të kërkojë, para së gjithash, kohë shtesë për shqyrtimin e kërkesave, angazhim të vazhdueshëm të institucioneve, forcim të kapaciteteve administrative, transparencë më të madhe, zbatim të qëndrueshëm të ligjeve dhe standardeve juridike, si dhe dialog dhe bashkëpunim të mirëfilltë me komunitetin serb dhe komunitetet e tjera joshumicë të prekura, organizatat e shoqërisë civile, publikun, akterët ndërkombëtarë dhe palët e tjera relevante.

Rekomandimet kryesore

Bazuar në gjetjet e saj, CASA u bën thirrje Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, autoriteteve komunale dhe akterëve relevantë ndërkombëtarë që të:

  • Zgjasin ose të vendosin fleksibilitet më të madh lidhur me afatet kalimtare;
  • Vazhdonin trajtimin e të gjitha kërkesave të paraqitura gjatë periudhës kalimtare
  • Harmonizojnë praktikat administrative ndërmjet komunave;
  • Forcojnë kapacitetet institucionale përgjegjëse për trajtimin e kërkesave;
  • Përmirësojnë qasjen në informata, garancitë procedurale dhe mjetet juridike;
  • Eliminojnë barrët e panevojshme dokumentare dhe financiare;
  • Sigurojnë që zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për shtetësinë të jetë plotësisht në përputhje me parimet e barazisë, mosdiskriminimit, sigurisë juridike dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Monitorimi dhe avokimi do të vazhdojnë

CASA do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet që lidhen me zbatimin e Ligjit për të huajt dhe Ligjit për shtetësinë dhe do të avokojë për zgjidhje praktike që forcojnë sigurinë juridike, trajtimin e barabartë dhe qasjen efektive në të drejta për të gjithë banorët e prekur.

Raporti i plotë është i disponueshëm KËTU.