Analiza e re juridike paralajmëron se Ligji për shtetësinë i vitit 2026 mund të thellojë pasigurinë juridike dhe të diskriminojë në mënyrë indirekte serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera joshumicë.
Mitrovicë e Veriut, 28 maj 2026, OJQ CASA sot publikoi analizën e saj juridike dhe të politikave publike mbi Ligjin e sapomiratuar nr. 10/L-023 për shtetësinë e Kosovës, duke ngritur një sërë shqetësimesh serioze lidhur me zbatimin e legjislacionit të ri për shtetësinë nga perspektiva e të drejtave, kornizës kushtetuese dhe të drejtave të njeriut.
Analiza shqyrton dallimet kryesore ndërmjet Ligjit të mëparshëm për shtetësinë të vitit 2013 dhe ligjit të ri të miratuar në vitin 2026, me fokus të veçantë në pasojat praktike për komunitetet joshumicë, personat e zhvendosur, pjesëtarët e diasporës dhe personat e lindur jashtë Kosovës.
Sipas analizës, edhe pse ligji i ri modernizon disa procedura administrative dhe thjeshton rikthimin e shtetësisë për ish shtetasit, ai njëkohësisht vendos kufizime më të ashpra për personat e lindur jashtë Kosovës të cilët nuk e kanë regjistruar shtetësinë para moshës 18 vjeçare. CASA paralajmëron se këto dispozita formalisht neutrale, në praktikë, mund të prekin në mënyrë disproorcionale serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera joshumicë.
Rreziqet dhe sfidat e mundshme për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera joshumicë
Analiza thekson se Ligji i ri për shtetësinë, edhe pse formalisht neutral, mund të prodhojë pasoja disproorcionale negative për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera joshumicë në Kosovë. Ligji i ri vendos një kufizim të rreptë moshor që kërkon që fëmijët e lindur jashtë Kosovës ta regjistrojnë shtetësinë para moshës 18 vjeçare, me vetëm disa përjashtime të kufizuara në rastet e apatridisë. CASA thekson se është veçanërisht shqetësues fakti që rregullat më të ashpra për regjistrimin e shtetësisë për personat e lindur jashtë Kosovës ka të ngjarë të prekin më së shumti serbët e Kosovës, për shkak të zhvendosjes, mbështetjes në strukturat administrative të Serbisë, përfshirjes më të ulët në sistemin kosovar të regjistrimit civil dhe pasigurisë së vazhdueshme juridike dhe institucionale.
Në të njëjtën kohë, ligji liberalizon ndjeshëm procedurat për rikthimin e shtetësisë për ish shtetasit e Kosovës që kanë hequr dorë vullnetarisht nga shtetësia, duke eliminuar kushtet e mëparshme lidhur me vendbanimin, gjuhën, integrimin dhe kriteret financiare. “Edhe pse dallimi ndërmjet fitimit dhe rifitimit të shtetësisë duket formalisht neutral, efektet praktike të ligjit mund të krijojnë pasoja të pabarabarta për komunitete të ndryshme”, thuhet në analizë.
Shqetësim shtesë paraqet mundësia e verifikimit të mëvonshëm të ligjshmërisë së regjistrimit të vendbanimit të përhershëm, formulimet e gjera lidhur me sigurinë kombëtare, si dhe fakti që çështjet kyçe janë lënë për akte të ardhshme nënligjore. Ligji i ri po ashtu rrit rëndësinë e regjistrave si dëshmi të shtetësisë dhe vendos kritere formaliste për dëshmimin e lidhjeve familjare dhe ekonomike me Kosovën, gjë që mund të prekë veçanërisht personat e zhvendosur dhe qytetarët me dokumentacion të paplotë. Për këtë arsye ekziston rrezik serioz për pasiguri juridike, zbatim jo të njëtrajtshëm dhe diskriminim indirekt ndaj komuniteteve joshumicë.
Përplasje e mundshme brenda ligjit
Analiza paralajmëron në mënyrë të veçantë për paqartësi juridike dhe përplasje të mundshme normative ndërmjet neneve 6, 30 dhe 31 të Ligjit të ri për shtetësinë. Ndërsa neni 6 vendos kushte kufizuese për fitimin e shtetësisë sipas prejardhjes, përfshirë kufizimet për fëmijët e lindur para se prindërit e tyre ta kenë fituar formalisht shtetësinë ose statusin e banorit të përhershëm, nenet 30 dhe 31 njëkohësisht njohin të drejtat e ish banorëve të përhershëm të Kosovës dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë, çka kryesisht i referohet anëtarëve të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë. Kjo mospërputhje mund të çojë në interpretime të ndryshme administrative, pasiguri juridike dhe trajtim të pabarabartë të pasardhësve të lindur jashtë Kosovës.
Për këtë arsye, analiza rekomandon që Qeveria e Kosovës ose Gjykata Kushtetuese të ofrojnë interpretim të qartë dhe autoritativ të marrëdhënies ndërmjet këtyre dispozitave, në mënyrë që të sigurohet që dispozitat kalimtare që mbrojnë ish banorët e përhershëm dhe pasardhësit e tyre të kenë përparësi si rregulla të posaçme (lex specialis), dhe të shërbejnë si mundësi rezervë për rregullimin e statusit civil për ata që nuk mund ta realizojnë këtë të drejtë në bazë të nenit 6. Në këtë mënyrë do të sigurohej gjithëpërfshirja e kornizës ligjore që rregullon çështjen e shtetësisë dhe qasjen në dokumente personale, të cilat janë parakusht për të drejtat dhe shërbimet në Kosovë. Gjithashtu rekomandohet që ligji të konfirmojë shprehimisht se pasardhësit e përfshirë nga nenet 30 dhe 31 nuk i nënshtrohen kufizimeve restriktive të nenit 6 paragrafi 7, duke siguruar zbatim gjithëpërfshirës dhe jodiskriminues ndaj të gjitha komuniteteve, veçanërisht komuniteteve joshumicë dhe personave të zhvendosur.
Roli i shtuar i akteve nënligjore shkakton shqetësime shtesë
CASA po ashtu shpreh shqetësim lidhur me delegimin e gjerë të çështjeve kyçe tek aktet e ardhshme nënligjore dhe legjislacioni sekondar, veçanërisht në lidhje me verifikimin e vendbanimit të përhershëm, standardet e provave dhe kërkesat për shtetësi që lidhen me statusin e ish banorëve të përhershëm sipas Rregullores së UNMIK-ut nr. 2000/13.
Organizata paralajmëron se ligji i ri nuk e njeh në masë të mjaftueshme vendbanimin faktik afatgjatë si kriter relevant juridik për zgjidhjen e çështjeve të shtetësisë dhe vendbanimit të përhershëm, pavarësisht standardeve relevante të zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg lidhur me sigurinë juridike dhe pritjet legjitime.
Shqetësim për mungesën e konsultimeve të gjera publike
Analiza po ashtu thekson se ligji është miratuar përmes një procesi relativisht të shpejtë legjislativ, pa debat të gjerë publik të dukshëm ose konsultime të synuara me komunitetet që me gjasë do të preken më së shumti nga zbatimi i tij.
Duke pasur parasysh ndjeshmërinë kushtetuese të rregullimit të shtetësisë në Kosovë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të saj në pjesëmarrjen politike, përfaqësimin dhe përfshirjen e komuniteteve, CASA vlerëson se miratimit të ligjit është dashur t’i paraprijë një konsultim më i gjerë me komunitetet joshumicë, personat e zhvendosur, organizatat e diasporës dhe organizatat e shoqërisë civile.
Rekomandime
Analiza rekomandon:
- rregulla më fleksibile të regjistrimit për personat e lindur jashtë Kosovës;
• legjislacion sekondar gjithëpërfshirës dhe të qartë;
• njohjen e vendbanimit faktik si kriter relevant juridik;
• që nenet 30 dhe 31 të kenë përparësi ndaj kushteve kufizuese të nenit 6 paragrafi 7, me qëllim sigurimin e sigurisë juridike, trajtimit të barabartë dhe zbatimit gjithëpërfshirës të ligjit ndaj komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë, personave të zhvendosur dhe pasardhësve të lindur jashtë Kosovës;
• mekanizma më të fuqishëm proceduralë mbrojtës kundër rishqyrtimit arbitrar të statusit të vendbanimit të përhershëm;
• ruajtjen e standardeve fleksibile të provave;
• konsultime më të gjera publike; dhe
• vlerësime të rregullta të ndikimit në të drejtat e njeriut dhe barazinë gjatë zbatimit të ligjit.
OJQ CASA do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e Ligjit për shtetësinë dhe Ligjit për të huajt, me vëmendje të veçantë ndaj ndikimit të tyre mbi komunitetet joshumicë dhe sigurinë juridike në Kosovë.
Raporti i plotë në KËTU.



