fbpx

Op-ed: Sistemi arsimor serb në Kosovë: statusi dhe vazhdimësia

Nga: Ognjen Gogić

Gjatë viteve të fundit, serbët në Kosovë, të detyruar nga rrethanat, janë mësuar me faktin se realiteti në të cilin jetojnë ndryshon në mënyrë të pafavorshme për ta. Rregullat që përcaktojnë jetën e tyre të përditshme dhe institucionet në të cilat mbështeten pothuajse janë shndërruar në diçka të përkohshme. Nga ndërprerja e qarkullimit të pagesave me dinarë, te mbyllja e postave dhe institucioneve të tjera serbe, një sërë masash janë zbatuar në mënyrë të menjëhershme, pa i dhënë komunitetit serb mundësi reale që të ndikojë në to. Goditje të tilla institucionale kanë krijuar te ta një lloj refleksi të kushtëzuar që vazhdimisht të pyesin se çfarë do të ndodhë më pas, përkatësisht me çfarë do të detyrohen të përshtaten herën tjetër. Megjithatë, gatishmëria e kujtdo, përfshirë edhe të tyren, për t’i përballuar goditjet e reja dhe për t’u përshtatur me to, i ka kufijtë e vet. Për serbët në Kosovë, një prej këtyre kufijve lidhet me arsimin.

Fusha e arsimit, ndaj së cilës komuniteti serb në Kosovë është veçanërisht i ndjeshëm, nuk ka mbetur e paprekur nga retorika e njohur politike për “dualizmin institucional”. Shqetësim të madh në komunitetin serb kanë shkaktuar paralajmërimet e zyrtarëve të Kosovës për përfshirjen e mundshme të institucioneve arsimore serbe, si dhe atyre shëndetësore, në një sistem të vetëm të Kosovës. Në shtator të vitit 2025, Albin Kurti vlerësoi se “dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm” dhe paralajmëroi angazhimin për integrimin e tyre në “një sistem të vetëm”. Peshë shtesë kësaj çështjeje i dhanë edhe mesazhet që erdhën nga Brukseli. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Peter Sørensen, në mars të vitit 2026 deklaroi se Bashkimi Evropian “ka marrë parasysh planet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore të mbështetura nga Serbia në kuadrin e Kosovës”, duke shtuar se kjo duhet të bëhet “plotësisht në përputhje me marrëveshjet e mëparshme të arritura në Dialog”.

Paralajmërime të tilla hapin një pyetje praktike: çfarë parashohin marrëveshjet e Dialogut Beograd–Prishtinë dhe korniza ligjore e Kosovës sa i përket arsimit të komunitetit serb në Kosovë?

Marrëveshjet e Dialogut vetëm pjesërisht japin përgjigje në këtë pyetje. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, ndër të tjera, parasheh themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Marrëveshja e përmend arsimin si një nga fushat në të cilat komunat anëtare, përmes Asociacionit/Bashkësisë, do të bashkëpunonin kolektivisht në ushtrimin e kompetencave të tyre. Parimet e Përgjithshme të vitit 2015 e elaborojnë më në detaje çështjen e organizimit të Asociacionit/Bashkësisë dhe përsëri e përmendin arsimin si një nga fushat e veprimtarisë së tij.

Me kaq, në masë të madhe, shterohen aspektet e marrëveshjeve që lidhen drejtpërdrejt me arsimin. Marrëveshjet nuk e përcaktojnë statusin e institucioneve ekzistuese arsimore serbe dhe as se çfarë do të duhej të nënkuptonte, në aspektin institucional, fakti që arsimi është përmendur si një nga fushat e veprimtarisë së Asociacionit/Bashkësisë.

Prandaj, nga marrëveshjet e arritura nuk mund të nxirret një model gjithëpërfshirës për rregullimin e sistemit arsimor serb në Kosovë. Dallimi vërehet veçanërisht kur arsimi krahasohet me fusha të tjera për të cilat ekzistojnë marrëveshje të veçanta, siç ishte rasti me policinë dhe gjyqësorin. Në këto fusha, Marrëveshja e Brukselit e përcaktoi shprehimisht kornizën e tyre të ardhshme institucionale. Marrëveshjet dhe aranzhimet e mëvonshme për zbatim e elaboruan më tej mënyrën se si këto zgjidhje do të zbatoheshin. Në rastin e arsimit, një marrëveshje e tillë gjithëpërfshirëse sektoriale nuk ekziston.

Nëse marrëveshjet e Dialogut nuk japin një përgjigje të plotë lidhur me statusin e institucioneve arsimore serbe, pyetja e radhës është se çfarë thotë për këtë korniza ligjore e Kosovës.

Në shikim të parë, legjislacioni i Kosovës ofron mundësi të gjera për organizimin e arsimit në gjuhën serbe. Duke qenë se gjuha serbe është gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës, e drejta për arsimim në gjuhën serbe nuk kufizohet vetëm në komunat me shumicë serbe dhe as nuk bën pjesë vetëm në kompetencat e zgjeruara që kanë këto komuna. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligji për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës obligojnë të gjitha komunat që të krijojnë kushte për ofrimin e shërbimeve arsimore në gjuhën serbe aty ku ekziston nevoja për to.

Korniza ligjore gjithashtu mundëson përdorimin e planeve dhe programeve mësimore, si dhe të teksteve shkollore nga Serbia, parasheh mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe përcakton një status të veçantë juridik për universitetin publik në gjuhën serbe në Mitrovicën e Veriut.

Rregulloret e Kosovës, pra, e njohin të drejtën për arsimim në gjuhën serbe dhe rregullojnë në mënyrë të detajuar se si ai duhet të organizohet brenda sistemit të Kosovës. Problemi lind kur shtrohet pyetja se si kjo kornizë lidhet me sistemin arsimor që tashmë ekziston.

Institucionet arsimore serbe në Kosovë nuk përbëjnë një varg shkollash të izoluara nga njëra-tjetra. Ato përbëjnë një sistem arsimor të shpërndarë territorialisht dhe funksionalisht të ndërlidhur, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë. Ky sistem përfshin arsimin parashkollor, fillor, të mesëm dhe të lartë, duke përfshirë studimet akademike dhe profesionale. Institucionet ndodhen në katër komunat në veri, në komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, por edhe në vendbanimet serbe që u përkasin komunave ku serbët nuk përbëjnë shumicën.

Ndërmjet këtyre institucioneve ekziston një lidhshmëri funksionale. Institucionet punojnë sipas planeve dhe programeve të përbashkëta mësimore, zbatojnë të njëjtat rregulla për vlerësimin dhe dhënien e provimeve, mbajnë evidenca dhe lëshojnë dokumente arsimore që i përkasin të njëjtit sistem. Ekziston kalueshmëri horizontale ndërmjet institucioneve të të njëjtit nivel, por edhe lidhshmëri vertikale nga arsimi parashkollor deri te arsimi i lartë. Një nxënës që e fillon shkollimin në një institucion mund ta vazhdojë nivelin përkatës të arsimit në një institucion tjetër brenda të njëjtit sistem. Në arsimin e lartë ekziston gjithashtu një bashkëpunim ndërkombëtar i zhvilluar.

Për këto arsye, institucionet ekzistuese arsimore serbe nuk mund të trajtohen veçmas. Ato përbëjnë një sistem funksionalisht të ndërlidhur dhe, si i tillë, duhet të trajtohet në çdo shqyrtim të mundshëm të ndryshimit të statusit të tij.

Pikërisht në këtë pikë bëhen të dukshme kufizimet e kornizës ekzistuese ligjore të Kosovës. Ajo rregullon mënyrën se si institucionet arsimore themelohen, regjistrohen, licencohen dhe akreditohen, si dhe kushtet nën të cilat ato mund të fillojnë të funksionojnë brenda sistemit të Kosovës. Në anën tjetër, institucionet arsimore serbe në Kosovë tashmë ekzistojnë. Veprimtaria arsimore në gjuhën serbe nuk është diçka që ende duhet të krijohet në Kosovë.

Procesi arsimor në shkollat dhe fakultetet serbe në Kosovë tashmë është në zhvillim. Nxënësit dhe studentët ndodhen në faza të ndryshme të shkollimit; kanë përfunduar klasë të caktuara dhe kanë dhënë provime; institucionet mbajnë evidenca dhe lëshojnë dokumente arsimore; të punësuarit kanë marrëdhënie pune tashmë të krijuara, ndërsa sistemi ka mekanizma të zhvilluar të menaxhimit dhe financimit.

Korniza ligjore aktuale e Kosovës nuk ofron përgjigje të plotë për çështjet që burojnë nga këto fakte. Themelimi ose licencimi i një institucioni nuk është i njëjtë me njohjen juridike të një institucioni që tashmë funksionon në një sistem tjetër, e aq më pak përbën ndryshimin e statusit të një sistemi të tërë arsimor funksionalisht të ndërlidhur. Mundësia formale që një institucion në të ardhmen të funksionojë brenda sistemit të Kosovës, në vetvete, nuk siguron vazhdimësinë e arsimit që tashmë ka filluar në të.

Rregulloret ekzistuese të Kosovës për arsimin në gjuhën serbe nuk janë konceptuar në mënyrë të tillë që të mundësojnë tranzicionin e një sistemi arsimor tashmë ekzistues dhe funksional nga një kornizë juridike dhe institucionale në një tjetër. Nëse rregullat e zakonshme për regjistrim, licencim dhe akreditim do të zbatoheshin pa një mekanizëm të posaçëm tranzitor, do të krijohej rreziku i çrregullimeve, madje edhe i ndërprerjes së ofrimit të shërbimeve arsimore në mjediset serbe në Kosovë. Do të mbeteshin të hapura çështjet e vazhdimit të shkollimit të nxënësve dhe studentëve, vlefshmërisë së klasave tashmë të përfunduara dhe provimeve të dhëna, evidencave dhe dokumenteve arsimore, si dhe vazhdimësisë së marrëdhënieve ekzistuese të punës së të punësuarve.

Pikërisht në këto çështje qëndrojnë arsyet e shqetësimit të komunitetit serb. Ky shqetësim nuk lidhet vetëm me çështjen administrative se cilit sistem komuniteti do të duhet t’i përshtatet në fund, por me mundësinë që ndryshimi i statusit të institucioneve arsimore ta çrregullojë arsimin që tashmë është në zhvillim. Një zhvillim i tillë mund t’i shtyjë shumë prindër të kërkojnë një vend tjetër ku fëmijët e tyre do ta vazhdonin shkollimin, e ndoshta edhe një vend tjetër ku do të jetonte e gjithë familja.

Për të shmangur pasoja të padëshirueshme dhe të pakthyeshme për pozitën e komunitetit serb, çdo shqyrtim i ardhshëm i statusit të institucioneve arsimore serbe duhet ta ketë si imperativ ruajtjen e vazhdimësisë së arsimit. Kjo nënkupton mbrojtjen e të drejtave të fituara të nxënësve dhe studentëve, vazhdimin e shkollimit të filluar, vlefshmërinë e evidencave dhe dokumenteve arsimore, ruajtjen e marrëdhënieve ekzistuese të punës së të punësuarve, por edhe të lidhjeve funksionale dhe ndërkombëtare mbi të cilat mbështetet sistemi ekzistues.

Përderisa nuk ekziston një mekanizëm juridik dhe institucional që do të mund ta garantonte një vazhdimësi të tillë, ndryshimi i statusit të institucioneve ekzistuese do të bartte rrezikun e krijimit të problemeve të reja me pasoja të drejtpërdrejta për nxënësit, studentët, të punësuarit dhe komunitetin serb në tërësi. Në një komunitet që gjatë viteve të fundit tashmë është detyruar t’i përshtatet një sërë tronditjesh sistemike, arsimi mund të jetë çështja në të cilën qëndrueshmëria e komunitetit më në fund do të arrijë kufirin e vet. Prandaj, ruajtja e vazhdimësisë duhet të jetë pikënisja e çdo diskutimi nëse dhe në çfarë mënyre statusi i sistemit ekzistues arsimor serb në Kosovë duhet të ndryshohet fare.

 

Ky opinion autorial është pjesë e iniciativës kërkimore “Pyetjet e vështira përpara nesh: Sistemi arsimor i serbëve të Kosovës”, të zbatuar nga OJQ CASA. Qëndrimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst i përkasin autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e OJQ CASA apo të donatorit që mbështet hulumtimin.