fbpx

Një Rreth Vicioz: Dështimi i “Integrimit” të Serbëve të Kosovës dhe Minimi i Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë

Një sistem i vetëqeverisjes së fortë lokale përbënte njërin nga dy elementet thelbësore të ashtuquajturit Plan i Ahtisaarit, i cili u bë pjesë integrale e rendit kushtetues të Kosovës, me synimin për të ofruar një zgjidhje demokratike të qëndrueshme për konfliktet ndëretnike në dhe rreth Kosovës. Dështimi për të arritur një marrëveshje brenda kuadrit të Kombeve të Bashkuara mbi Planin e Ahtisaarit dhe futja e tij alternative përmes shpalljes së pavarësisë së Kosovës vuri në lëvizje një rreth vicioz të mos-integrimit të serbëve të Kosovës dhe minimit të vetëqeverisjes lokale nga brenda Kosovës. Zbatimi i përshpejtuar i paketës së Ahtisaarit në vitin 2008 brenda një periudhe prej 120 ditësh solli mangësi dhe dobësi të mëdha në ligjet bazë dhe sistemike që rregullojnë vetëqeverisjen lokale. Pamundësia politike për të ndryshuar këto ligje për shkak të mekanizmit të mbrojtjes etnike me votim me shumicë të dyfishtë të integruar në sistemin e Ahtisaarit, i detyroi ligjvënësit të përshtasin kuadrin legjislativ përmes ligjeve dhe rregulloreve të tjera. Kjo qasje, megjithatë, krijoi pika hyrëse për qeveritë qendrore për të minuar dhe kufizuar vetëqeverisjen lokale, duke uzurpuar kompetencat komunale. Përveç këtyre devijimeve nga modeli i Ahtisaarit për vetëqeverisjen lokale, Kosova nuk ka vendosur kurrë një sistem të plotë të decentralizimit fiskal – një pikë e dobët kyçe në Planin e Ahtisaarit.

Metoda e zgjedhur për zbatimin e propozimit të Ahtisaarit çoi në një ndarje gjeografike në (mos)zbatimin e sistemit të vetëqeverisjes së fortë lokale në pjesët me shumicë serbe të Kosovës. Zbatimi i tij në gjashtë komunat në jug të lumit Ibër që nga viti 2008 përfaqëson një sukses të rëndësishëm. Katër komunat në veri të lumit Ibër mbetën jashtë sistemit të Ahtisaarit dhe atij shtetëror të Kosovës. Komunat vazhduan të funksionojnë nën sistemin shtetëror të Serbisë, duke përfaqësuar një zonë të errët juridike që më pas u zhvillua në sisteme komunale hibride. Dialogu politik i udhëhequr nga BE-ja, me marrëveshjen e parë të prillit 2013, mundësoi hapat e parë të rëndësishëm në mbylljen e hendekut të integrimit të serbëve të Kosovës dhe të zbatimit të Ahtisaarit në veri, me mbajtjen e zgjedhjeve të para lokale dhe themelimin e komunave sipas sistemit të Kosovës. Dështimi i dialogut për të ndjekur strategjikisht suksesin fillestar solli një ndalim të procesit të integrimit dhe tranzicionit të institucioneve komunale nga sistemi serb në atë të Kosovës. Në vend të kësaj, u krijua një sistem hibrid “Frankenstein” i paralelizmit komunal dhe një sistem i korruptuar klientelist nën drejtimin e një strukture faktike njëpartiake e lidhur me krimin e organizuar. Njëkohësisht, themelimi i të ashtuquajturës Asociacion/Komunitet i komunave me shumicë serbe (AKS), një trup vagë i bashkëpunimit ndërkomunal dhe menaxhimit të përbashkët të funksioneve komunale i formuar nga dhjetë komunat me shumicë serbe të Kosovës të përfshira në Marrëveshjen e Prillit, mbeti i bllokuar, duke lënë të hapur pyetjen nëse AKS përfaqëson një lloj “Ahtisaari plus” (përmbyllje e integrimit) apo “Ahtisaari minus” (minim i sistemit të vetëqeverisjes lokale). Kjo devijim thelbësor nga rruga dhe objektivat fillestare të dialogut e largoi edhe më tej komunat me shumicë serbe nga baza e vetëqeverisjes lokale të parashikuar në planin e Ahtisaarit. Dorëheqja e kryetarëve dhe anëtarëve të kuvendeve komunale serbë në katër komunat veriore në vitin 2022 shënoi shpërbërjen e arritjeve të kufizuara të dialogut në fushën e vetëqeverisjes lokale.

Për ta kthyer Kosovën në një rrugë drejt një shoqërie dhe shteti demokratik shumetnik të qëndrueshëm, ashtu siç është konceptuar nga Ahtisaari, kërkohet një transformim i thellë, sistematik dhe gjithëpërfshirës i sistemit të vetëqeverisjes së fortë lokale. Në fund të fundit, kjo mund të ndodhë vetëm brenda kuadrit strategjik të një marrëveshjeje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse. Një reformim i tillë i sistemit të vetëqeverisjes lokale në Kosovë duhet të organizohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse, duke përfshirë aktorë politikë, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të vetëqeverisjes lokale, si dhe shoqërinë civile.

Të gjithë publikimin mund ta gjeni KËTU.