fbpx

Rëndësia e Përfshirjes Shoqërore – Reflektime nga trajnimi ynë i dytë i BGN

Gjatë trajnimit të dytë për anëtarët e Barabar Going Grassroot (BGN), të mbështetur nga Bashkimi Evropian, ne u thelluam në kuptimin e vërtetë të përfshirjes shoqërore dhe mënyrat se si mund t’i kapërcejmë barrierat që e pengojnë atë. Gjatë këtyre diskutimeve, ndodhi edhe një moment jashtëzakonisht prekës, lindi një poezi që shprehu bukur se pse secili prej nesh duhet të punojë për përfshirje të mirëfilltë.

Njëra nga anëtaret e BGN-it, Hamide Hyseni nga Social Space for Deconstruction, ndau poezinë e saj origjinale “Unë jam si ty”, të shkruar nga përvoja e saj personale. Fjalët e saj na prekën të gjithëve dhe u ndjenë thellë në çdo zemër të pranishme. Poezia është një thirrje e ndjerë për barazi dhe respekt, pavarësisht ngjyrës së lëkurës, kulturës apo prejardhjes. Ajo na kujton se pas çdo fytyre fshihen të njëjtat ëndrra, e njëjta dhimbje dhe e njëjta shpresë. Mesazhi është i qartë: ngjyra e lëkurës nuk duhet të na ndajë, sepse dashuria dhe respekti janë universale.

Kjo poezi qëndron si një pasqyrim emocional i diversitetit dhe unitetit njerëzor, si dhe si një rikujtim i fortë se pse puna jonë e përbashkët drejt përfshirjes shoqërore ka kaq shumë peshë.

E falenderojmë Hamide Hysenin për privilegjin që na dha ta dëgjonim poezinë e saj dhe për lejimin që ta ndajmë me publikun më të gjerë. I urojmë të vazhdojë të ndriçojë me dritën e saj, sepse shoqëria dhe bota jonë kanë vërtet nevojë për zëra si i saj.

Ky trajnim u organizua nga organizatat Integra dhe Qendra për Veprime Afirmative Sociale – CASA, si pjesë e projektit The BIG Project – Barabar Initiative (going) Grassroot, i mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë.

Më poshtë mund ta lexoni tërë poezinë të përkthyer në gjuhën shqipe:

 

UNË JAM SI TY

Nga Hamide Hyseni

Unë jam si ty
Si ty kam dy sy
Nuk je e, as jam mbi ty
Mu Perëndia me këtë ngjyrë m’ka ly

Jemi në të njëjtën botë
Shkelim të dy në këtë tokë
Gjaku që rrjedh në vena është i njëjtë
Pse duhesh me qenë ti më i shenjtë?

S’mundesh me fjalët e tua gjithë qenien
Time të fort me e rrëzu
S’mundesh as shpirtin tem me ato shikime me plot urrejtje me e shpu
Këtu ku kam ardhur krejt zvarrë jam shku
E ti tash me një fjalë mu don me m’diskriminu

Mos rri me atë se s’është shqiptare
Mos rri me atë se është marre
Këta të zinjtë do i kisha varë
Ndëgjova këtë fjalë që në klasë të parë

Ç’janë këta shpirtra të palarë
E të zhytun veç në ngjyrën e bardhë
Në rrugën e shtrume mbi gjemba kam ecë
Kam ecë vetë, e jam tretë
Më mirë vetëm të kem mbet
Edhe pse s’është e lehtë

Liro shpirtin nga mallkimi që të ka pushtuar
Me veten kot je duke luftuar
Unë jam njësoj si ti, shpresoj ta kesh pranuar
Ngjyra më dallon, e ti për këtë gjë më mallkon
M’ shtyn, m’ pështyn, me tana të zezat më përlyn

Më kap dorën time e mos ndjej mëri
Merri vuajtjet e mia, merrri
E sheh çka është ferri
Kur ti rrin e buzëqesh, e njerëzit të urrejnë për ngjyrën që Perëndia t’ka veshë

Ta venit buzëqeshjen, ta ndal ecjen
Ndëgjo tingullin e zemrës time, është i njëjtë sa i joti, vetëm se nëse prek zemrën tem do e ndjesh edhe rënien e lotit

Unë jam si ty, pasha këta dy sy
Jemi dytë qenie e krijesa unike, të bukura, të forta