fbpx

Eksplorimi i Fatit të Serbëve të Kosovës në Dialogun Beograd – Prishtinë

Përmbledhja politike “Eksplorimi i Fatit të Serbëve të Kosovës në Dialogun Beograd–Prishtinë” shqyrton përjashtimin e gjatë të serbëve të Kosovës nga një proces që ka formësuar zhvillime kritike politike, ligjore dhe institucionale në Kosovë gjatë 15 viteve të fundit. Pavarësisht se është parashikuar si një mekanizëm për normalizimin e marrëdhënieve, dialogu i lehtësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës ka përjashtuar vazhdimisht një nga komunitetet që është më së shumti e prekur nga rezultatet e tij. Zërat e serbëve të Kosovës, që jetojnë pasojat e këtyre vendimeve, janë përfshirë rrallë në fazat e caktimit të agjendës, negociatave apo implementimit të dialogut.

Analiza e paraqitur këtu bazohet në përpjekjet e fundit hulumtuese të kryera nga OJQ CASA në vitin 2024, duke përfshirë anketat e opinionit publik, konsultimet me ekspertë dhe diskutimet në grupe fokusi me anëtarët e komunitetit serb të Kosovës. Të dhënat e mbledhura zbulojnë një perceptim të fortë ndër serbët e Kosovës për një rënie të stabilitetit dhe sigurisë, qasje të kufizuar në institucione dhe shërbime, dhe një shkëputje të rritur nga proceset politike. Sipas këtyre të dhënave, më shumë se 80% e të anketuarve raportuan një përkeqësim të pozicionit të serbëve të Kosovës gjatë tre viteve të fundit, ndërsa mbi 25% e tyre deklaruan se planifikojnë të largohen nga Kosova brenda tre viteve të ardhshme.

Përmbledhja politike identifikon fushat kryesore ku dialogu ka dështuar të ofrojë rezultate ose ka kaluar përpjekje pa i trajtuar fare çështjet. Këto përfshijnë statusin e pazgjidhur të dokumenteve të lëshuara nga Serbia, dështimi në aranzhimet e policisë në veri të Kosovës pas dorëheqjes së oficerëve serbë në vitin 2022, mungesën e zbatimit të Asocacionit/Komunitetit të Komunave me shumicë serbe (A/CSM) dhe mungesën totale të një dialogu të vërtetë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare ortodokse serbe. Ndërkohë, vendimet njëanshme, si ndalimi i dinarit serb në vitin 2024, kanë kontribuar në vuajtje humanitare dhe kanë përforcuar perceptimin e përjashtimit nga proceset e vendimmarrjes. Gjetjet gjithashtu nënvizojnë një tendencë në rritje të “migracionit të heshtur” nga komuniteti serb në Kosovë, i nxitur jo nga një ngjarje e vetme, por nga akumulimi i sfidave politike, ligjore dhe ekonomike të pazgjidhura. Mbi 92% e personave që kanë dhënë përgjigje raportojnë se njerëzit nga rrethi i tyre kanë ikur nga Kosova vitet e fundit, ndërsa një në katër prej personave që janë dhënë përgjigjur planifikojn të largohen brenda tre viteve të ardhshme. Shkalla më e lartë e qëllimit të emigrimit është tek të rinjtë dhe të edukuarit, duke treguar rreziqe afatgjata për qëndrueshmërinë e komunitetit.

Pavarësisht kësaj, procesi i dialogut mbetet i udhëhequr nga elita dhe i shkëputur nga përvoja e përditshme e serbëve të Kosovës. Komuniteti vazhdon të mos ketë përfaqësim formal në bisedime, dhe madje mekanizmat të cilët janë paraparë për të reflektuar zërin e tyre, siç është Grupi Menaxhues për Statutin e AKS, kanë funksionuar pa transparencë ose angazhim në komunitet.

Për të rikthyer besueshmërinë dhe legjitimitetin e dialogut, kemi nevoj për një qasje të re që i njeh serbët e Kosovës si palë të interesuara, jo si objekte pasive. Kjo përmbledhje politike bën thirrje për krijimin e mekanizmave të strukturuar dhe gjithëpërfshirës për angazhimin e komunitetit, përfshirjen e çështjeve kritike në agjendën e dialogut dhe zbatimin e plotë të detyrimeve të mëparshme. Vetëm duke krijuar hapësirë për kontribut direkt nga komuniteti dhe llogaridhënie mund të realizohet premtimi i dialogut për të kontribuar në një normalizim të qëndrueshëm.

Të gjithë publikimin mund ta gjeni KËTU.