Në bashkësitë multietnike, dashuria ndaj kafshëve shpesh shërben si urë që i lidh ato. Forum i fundit ndëretnik i adhuruesve të qenve i mbajtur në Qendrën Barabar në Prishtinë tregoi se sfidat e përbashkëta mund të jenë bazë për dialog konstruktiv dhe zhvillimin e zgjidhjeve konkrete.
Ky tubim i organizuar përmes projektit “Barabar Connects” në bashkëpunim me Shoqatën “Šapa”, OJQ-në CASA, në partneritet me OJQ-në Integra dhe me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Kosovë, tregon se si bashkëpunimi ndëretnik mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin efikas të popullatës së qenve endacak në Kosovë.
Problemet e qenve endacakë dhe të pronarëve të papërgjegjshem të kafshëve shtëpiake janë sfida serioze sociale dhe ekologjike që kërkojnë zgjidhje sistematike. Vlerësohet se Kosova ka ndërmjet 20,000 dhe 25,000 qen endacakë, me 4,000 deri në 5,000 vetëm në Prishtinë. Ky numër pritet të rritet në vitet e ardhshme, duke arritur në 40,000 nëse nuk ndërmerren masat adekuate.
Disa nga problemet kryesore të identifikuara në menaxhimin e popullatës së qenve endacak përfshijnë: mungesën e zbatimit të strategjive dhe ligjeve, pronësinë e papërgjegjshme, mungesën e mekanizmave të kontrollit dhe sanksionimit, mungesën e zgjidhjeve gjithëpërfshirëse, koordinimin e dobët ndërkomunal, masat joadekuate si zhvendosja territoriale e qenvë, mjete të pamjaftueshme për sterilizimin dhe kastracioni, stigmatizimi i vullnetarëve dhe aktivistëve dhe mungesa e vetëdijesimit dhe mosinformimi i publikut për pronësinë e përgjegjshme të kafshëve shtëpiake dhe të drejtat e kafshëve e përkeqësojnë më tej situatën.
Zgjidhja e këtij problemi kërkon një qasje shumëdisiplinore, duke përfshirë masat e mëposhtme: zbatimin e plotë të strategjive dhe ligjeve përkatëse, sanksionimin e pronarëve të papërgjegjshëm, mikroçipimin e detyrueshëm, edukimin e qytetarëve për pronësinë e përgjegjshme të kafshëve, krijimin e një fondi qendror për mbrojtjen e kafshëve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkomunal.
Strategjia për menaxhimin dhe kontrollin e qenve është një dokument kyç që synon zgjidhjen e problemit të qenve endacak në Kosovë. Strategjia fokusohet në parandalimin e shkaqeve rrënjësore të problemit si braktisja e këlyshëve, mbarështimi i paligjshëm dhe kontrolli i qenve në pronësi, si dhe menaxhimi i numrit aktual të qenve endacakë në rrugë. Ligjet e rëndësishme përfshijnë Ligjin për Mirëqenien e Kafshëve dhe Ligjin për Mjekësinë Veterinare si dhe Kodin Penal, i cili ndalon abuzimin me kafshët dhe parashikon dënime të rrepta për trajtimin çnjerëzor, duke përfshirë shfrytëzimin mizor dhe eutanazinë e paligjshme. Zbatimi i vazhdueshëm i këtyre ligjeve është thelbësor në luftimin e këtij problemi. Këto dispozita ligjore, së bashku me strategjinë, ofrojnë një kornizë për një sistem të strukturuar dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e popullatës së qenve.
Projekti “Barabar Connects” demonstron fuqinë e partneriteteve gjithëpërfshirëse në zgjidhjen e problemeve të mbrojtjes së kafshëve. Dashuria për qentë i tejkalon të gjitha barrierat dhe interesat e përbashkëta dhe mund të shërbejnë si bazë për ndërtimin e marrëdhënieve harmonike ndërmjet komuniteteve të ndryshme. “Kafshët nuk njohin kombësi, fe, gjini, apo ndonjë gjë tjetër që i ndan njerëzit. Kafshët shtëpiake na afrojnë pavarësisht nga vijmë dhe ne si aktivistë mund të shërbejmë si symbol të unitetit,” u tha në forum.