Nga 5 deri më 7 dhjetor 2025, trajnimi gjithëpërfshirës për ndërtimin e kapaciteteve “Zhvillimi i Propozimeve Efikase të Projekteve” për Rrjetin Barabar Grassroot (BGN) u përmbyll me sukses, duke avancuar ndjeshëm aftësitë e akterëve grassroot në mbarë Kosovën. I konceptuar për të forcuar zhvillimin, menaxhimin dhe kapacitetet për mbledhjen e fondeve, programi u fokusua në mbështetjen e pjesëmarrësve që të përkthejnë në mënyrë efikase nevojat lokale në propozime të strukturuara mirë dhe të sigurojnë mbështetjen financiare të nevojshme për zbatimin e tyre. Këto kompetenca janë thelbësore për ndërtimin e një sektori civil elastik dhe efektiv, i aftë t’u përgjigjet sfidave të komunitetit me zgjidhje të qëndrueshme dhe me ndikim.
I organizuar nga Integra dhe Qendra për Veprime Afirmative Sociale (CASA) në kuadër të The BIG Project – Barabar Initiative (Going) Grassroot, i mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë, trajnimi mblodhi së bashku OShC-të, aktivistet gra dhe artistët nga i gjithë rrjeti BGN. Gjatë tre ditëve intensive, pjesëmarrësit morën pjesë në sesione praktike që mbuluan analizën e nevojave të komunitetit dhe problemeve, përcaktimin e objektivave të projektit, kuadrin logjik, si dhe bazat e buxhetimit për nisma të vogla. Ata gjithashtu mësuan rreth zbatimit të projekteve në përputhje me rregullat dhe procedurat e BE-së, si dhe parimet kryesore të mbledhjes së suksesshme të fondeve, duke forcuar më tej aftësinë e tyre për të hartuar dhe realizuar veprime me ndikim në nivel lokal. Në vijim, pjesëmarrësit punuan në grupe për të përgatitur koncept-projektet, planet e punës dhe draft-buxhetet, duke e vënë menjëherë në praktikë njohurinë dhe mjetet e reja të fituara.
Energjia bashkëpunuese, kreativiteti dhe përkushtimi i pjesëmarrësve theksuan rëndësinë e këtyre proceseve të synuara të ngritjes së kapaciteteve. Duke zhvilluar aftësi më të forta në planifikimin, menaxhimin dhe financimin e nismave grassroot, rrjeti BGN tashmë është më i pajisur për të dizajnuar dhe zbatuar projekte të udhëhequra nga komuniteti që sjellin ndryshime pozitive shoqërore.
Përmbyllja e këtij trajnimi shënon gjithashtu fundin e fazës 2 të projektit BIG, fazën e ndërtimit të kapaciteteve. Me këtë pikë të arritur, projekti tani do të kalojë në Fazën 3, e cila fokusohet në zbatimin praktik të njohurive dhe aftësive të fituara. Kjo fazë e ardhshme përfshin krijimin dhe zbatimin e veprimeve lokale përmes skemave të nëngranteve, si dhe pjesëmarrjen aktive të anëtarëve të BGN-it në proceset e hartimit të politikave në nivel qendror. Me avancimin e programit, anëtarët e BGN-it janë të gatshëm t’i vënë në praktikë kapacitetet e tyre të forcuara për të nxitur ndryshime domethënëse në komunitetet e tyre dhe më gjerë.



