fbpx

Qendra Barabar shënon dyvjetorin e saj

Qendra Barabar, një nismë e përbashkët e organizatës Integra nga Prishtina dhe NGO CASA nga Mitrovica e Veriut, ka shënuar dyvjetorin e themelimit të saj.

E vendosur në Grand Hotel në Prishtinë, Barabar u konceptua si një hapësirë e sigurt për dialog, art dhe mirëkuptim të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Gjatë dy viteve të fundit, qendra ka mirëpritur shfaqje teatrale, ekspozita, mbrëmje letrare dhe debate të shumta, duke u shndërruar në një simbol të hapjes dhe bashkëjetesës.

Në ngjarjen e organizuar për nder të përvjetorit, morën fjalën përfaqësues të organizatave themeluese, si dhe Shefja e UNMIK-ut, znj. Caroline Ziadeh, e cila kujtoi fillimet modeste të idesë dhe rëndësinë e krijimit të një hapësire për biseda të vërteta.

“Kushtrimi dhe Miki kishin një ëndërr – dhe guximin për ta ndarë me ne. Ne i dëgjuam, reflektuam, morëm në konsideratë. Ju e parashikuat një hapësirë. Dhe e vetmja gjë që ju duhej – ishte një dhomë. Jo një sallë e madhe, jo një ambient i lëmuar, por një dhomë në Grand Hotelin e Prishtinës, pikërisht këtu ku jemi sot. Jemi në atë dhomë – një dhomë, muret e së cilës ende mbajnë jehonën e së kaluarës, të mosbesimit dhe mundësive të humbura. Por falë përpjekjeve tuaja, filloi diçka tjetër – një bisedë. Një bisedë që nuk ishte e lehtë. Kishte pauza, dyshime, heshtje të pakëndshme, por ishte e vërtetë. Serbë dhe shqiptarë, pjesëtarë të komuniteteve të tjera në Kosovë, të rinj dhe të moshuar, artistë, aktivistë, udhëheqës komunitetesh dhe aktore të njohura – të gjithë u mblodhën,” tha znj. Ziadeh.

Miodrag Marinković, drejtor ekzekutiv i NGO CASA, theksoi se interesimi për qendrën e ka tejkaluar çdo pritshmëri, ndërsa drejtori i Integra-s, Kushtrim Kolliqi, nënvizoi se Barabar tani u përket të gjithëve që besojnë se ndryshimi nis me dëgjim dhe pjesëmarrje.

Falënderojmë të gjithë ata që e kanë mbështetur punën tonë dhe kanë besuar në vizionin për dialog dhe hapësirë të përbashkët. Me padurim presim vitet që vijnë, takimet e reja dhe mundësitë e mëtejme për lidhje dhe bashkëpunim.