fbpx

Ekspozita “Capturing Diversity” e hapur në Qendrën Barabar

OJQ CASA mbrëmë ka hapur zyrtarisht ekspozitën e fotografive “Capturing Diversity” në Qendrën Barabar në Prishtinë.

Fotot nga ekspozita u krijuan në prill, gjatë një udhëtimi dyditor të fotografëve të rinj kosovarë, të cilët, duke filluar nga Mitrovica dhe Prishtina, vizituan Janjevën, Prizrenin, Dragashin dhe Prevallën.

Qëllimi i udhëtimit ishte që me syrin e aparatit fotografik të regjistrohet diversiteti mes komuniteteve etnike në Kosovë, duke treguar kështu pasurinë dhe trashëgiminë kulturore të këtij rajoni.

Në hapjen e ekspozitës u shfaq si premierë dokumentari i shkurtër “Behind the Lenses: Artistic Caravan” i autorit Milan Dobrić, i cili përcjell këtë rrugëtim të artistëve të rinj.

Në mesin e vizitorëve të shumtë në ekspozitën e djeshme, përveç autorëve, ishin edhe përfaqësues të institucioneve, organizatave vendore dhe ndërkombëtare, qytetarë dhe mediat.

Të gjithë vizitorët e interesuar do të mund të shohin ekspozitën deri më 22 maj.

Ky aktivitet është realizuar si pjesë e projektit Qendra Barabar, me mbështetjen e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).