Më 24 shtator 2024, OJQ CASA prezantoi studimin e saj më të fundit, “Indeksin e besimit”, në Qendrën Barabar në Prishtinë. Hulumtimi, i kryer nga data 29 mars deri më 16 prill 2024, në një mostër prej 500 qytetarëve në mbarë Kosovën, ofron njohuri të thella për gjendjen aktuale të marrëdhënieve etnike dhe faktorët kryesorë që ndikojnë në to.
Duke prezantuar gjetjet kryesore, drejtori i programit të CASA, Boban Simić, theksoi se qëllimi i studimit ishte të vlerësojë qëndrimet e të dy komuniteteve në lidhje me marrëdhëniet e tashme dhe të ardhshme, mundësitë për pajtim dhe matjen e nivelit të distancës etnike. Studimi gjithashtu hulumtoi se si faktorët demokratikë i formësojnë këto qëndrime. Raporti zbuloi se faktori kryesor që kontribuon në përkeqësimin e marrëdhënieve etnike është dialogu i ngecur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Mbi 80% e serbëve të Kosovës dhe gati 75% e shqiptarëve të Kosovës e identifikuan këtë çështje si pengesë kryesore.
Pas prezantimit, u mbajt një panel diskutimi me figurat kyçe, duke përfshirë Miodrag Marinković, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së CASA, Kushtrim Koliqi, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së Integra dhe Bekim Blakaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Marinković theksoi se konfliktet politike midis Beogradit dhe Prishtinës mbeten gjeneratori kryesor i tensioneve etnike, veçanërisht në veri të Kosovës. Ai tha se arritja e një marrëveshjeje politike mund të krijojë hapësirë për përparim të fortë dhe të qëndrueshëm në normalizimin e marrëdhënieve në nivel komuniteti.
“Qëllimi është të sigurohet një jetë dinjitoze për të gjithë qytetarët në Kosovë”, konkludoi Marinković.
Koliqi shtoi se një mentalitet bardh e zi mbizotëron si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, duke mos pasur asnjë politikan të guximshëm që dëshiron të sfidojë status quo-në. Ai argumentoi se politikanët e ruajnë pushtetin e tyre duke margjinalizuar dhe frikësuar individët – siç janë intelektualët dhe artistët – të cilët kundërshtojnë interesat e tyre.
Blakaj theksoi se studimi “Indeksi i besimit” do të shërbejë si një platformë e vlefshme për punën e ardhshme në fushën e drejtësisë tranzicionale, fushë ku të dhënat e besueshme janë të pakta dhe shpesh të njëanshme. “Pa pranuar të kaluarën, është e pamundur të arrihet drejtësia. Polarizimi për këtë çështje është më i madh se kurrë,” paralajmëroi Blakaj, duke theksuar se papërgjegjshmëria e elitës politike mund të ketë efekte afatgjata edhe në brezat e ardhshëm.
Studimi “Indeski i besimit” është pjesë e projektit Barabar, i mbështetur nga Misioni i OKB-së në Kosovë.
Dokumenti i plotë është i disponueshëm KËTU.