fbpx

Lansimi i Rrjetit Barabar Grassroot: Art, Kulturë dhe Bashkëpunim për Komunitete Gjithëpërfshirëse

Më 24 shtator 2025, u lansua zyrtarisht Rrjeti Barabar Grassroot (BGN) – një platformë e gjallë që bashkon 15 organizata të shoqërisë civile dhe 10 artiste e aktiviste gra të angazhuara shoqërisht nga i gjithë Kosova.

BGN është krijuar për të nxitur shkëmbimin e përvojave, ndërtimin e kapaciteteve, veprimin lokal dhe angazhimin në politika, duke pasur në thelb gjithëpërfshirjen dhe diversitetin. Së bashku, anëtarët do të formësojnë politikat e ardhshme kulturore gjithëpërfshirëse, do të promovojnë multikulturalizmin dhe do të avancojnë pjesëmarrjen demokratike përmes iniciativave kreative dhe të udhëhequra nga komuniteti.

Në ngjarjen e lansimit u prezantua gjithashtu Udhëzuesi për Promovimin e Përdorimit të Artit dhe Kulturës në Iniciativat Lokale – një burim praktik i zhvilluar në konsultim të ngushtë me ekspertë dhe komunitete. Ky udhëzues i ofron aktorëve lokalë njohuri dhe metoda për të përdorur artin dhe kulturën si mjete të fuqishme për të nxitur ndryshime pozitive shoqërore.

Çfarë ofron Rrjeti për Anëtarët

Rrjeti Barabar Grassroot u jep anëtarëve hapësirë dhe mjete për të:
✅ Fituar aftësi të reja
✅ Sjellë idetë në jetë
✅ Testuar qasje inovative
✅ Angazhuar komunitetet
✅ Lidhur forcat për ndikim të përbashkët

Bazuar në suksesin e dëshmuar

Ky aktivitet është pjesë e “The BIG Project – Barabar Initiative (going) Grassroot”, i implementuar nga Integra dhe CASA, me mbështetjen e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Iniciativa ndërtohet mbi përvojën e suksesshme të Qendrës Barabar, e themeluar në Prishtinë në fillim të vitit 2023, si një hapësirë për dialog ndëretnik dhe bashkëpunim. Duke integruar artin dhe kulturën në punën me komunitetet, Qendra Barabar ka bashkuar aktorë të ndryshëm – nga artistë dhe organizata qytetare, deri te institucionet dhe mediat – për të adresuar çështje të ndjeshme shoqërore si personat e zhdukur, viktimat e krimeve të luftës dhe diskriminimi gjinor. Ky ndikim i dëshmuar ka hapur rrugën për ta sjellë këtë model në nivelin bazë në mbarë Kosovën.

Hapat e ardhshëm

Lansimi i Rrjetit Barabar Grassroot shënon vetëm fillimin. Së bashku me 25 anëtarët themelues, Rrjeti do të vazhdojë të punojë drejt ndërtimit të komuniteteve më të forta dhe më gjithëpërfshirëse, duke shfrytëzuar fuqinë transformuese të artit, kulturës dhe bashkëpunimit.